AMBASADORI PAUL WOHLERS NË VIZITË NË KOMUNËN TONË

13 shkurt 2014

Ambasadori amerikan në Shkup, Paul Wohlers gjatë vizitës së bërë në Komunën e tonë, ka inkurajuar drejtuesit vendor për të aplikuar me projektet e tyre në fondet e ndryshme që ndahen nga “USAID”, dhe ambasadës amerikane. Wohlers e vlerësoi lartë rolin e pushtetit vendor për jetesën e popullatës vendase, andaj  inkurajoi institucionet  lokale që të punojnë me përkushtimin më të madh në drejtim të përmirësimit të kushteve të jetesës për popullatën lokale.

“Jam mundur që të shoh të gjitha fshatrat , qytetet, lagjet. Të shoh se çfarë po ndodh në nivelin lokal, të shoh se cilat janë problemet dhe sfidat. Unë çdo herë u them njerëzve që pjesa më e rëndësishme e demokracisë në nivel lokal apo nivel më të ulet se ky është njeriu i cili punon në këtë nivel. Të gjithë e njohin atë se ku jeton ai dhe numrin e tij të telefonit ndoshta e dinë, pra është shumë e rëndësishme  për njerëzit që jetojnë këtu në këtë vende që kryetarit i komunës së tyre të dijë të menaxhojë mirë fondet, pra ky është çelësi i demokracisë, prandaj unë kam ardhur për të biseduar me njerëzit dhe të shoh se si shkojnë gjërat”, deklaroi Wohlers pas takimit me kryetarin e Komunës, Bajram Kadrija.

Ky i fundit, shprehu kënaqësi për takimin që pati me ambasadorin amerikan, duke njoftuar me këtë rast se ambasadorin e kishte njoftuar nga afër me sfidat me të cilat ballafaqohet pushteti lokal, dhe me theks të veçantë komunat rurale. “Ishim të informuar për një çështje rreth programit të USAID-it, për projektin për bashkëpunim ndëretnik nëpër shkollat i cili vijon në këtë muaj. Na informuan se çdo komunë nëpërmjet institucioneve përkatëse ka të drejtën të aplikon dhe shfrytëzon këto mjete të USAID-it dhe ambasadës amerikane, po ashtu hapëm edhe tema të tjera të ngecjeve në procesin e decentralizimin, sfidat e komunave rurale që ballafaqohemi me një formë të ngadalsuar të decentralizmit financiar në disa sfera. Biseduam po ashtu edhe rreth pozitës sonë si komunë në Pollog, mundësive të zhvillimit në të ardhmen si në aspektin infrastrukturor në zonën industriale, e kështu me radhë”, tha Kadrija

Ambasadori Wohlers, është ambasadori i parë amerikan në Maqedoni që ka realizuar vizitë zyrtare në Komunën e Vrapçishtit.

 

 

 

 
komunaVrapcisht©  2009All Rights Reserved  •  Design by
Privacy Policy • Terms of Use