NËNSHKRUHET MARRËVESHJE PËR ORGANIZIMIN E PËRBASHKËT TË TRANSPORTIT MIDIS KOMUNËS SONË DHE KOMUNËS SË GOSTIVARIT

 

29 maj 2013

Për herë të parë  Komuna e Varpçishtit dhe Komuna e Gostivarit si dy komuna fqinje kanë nënshkruar marrëveshje për organizimin e përbashkët të linjës transportuese të udhëtarëve.


Marrëveshjen e nënshkruan dy kryetarët e të dyja komuna, Bajram Kadrija dhe Nevzat Bejta. 


Qëllimi i marrëveshjes është që të vendohet rend në transportin ndërkomunl midis të dyja komunave. 

 


Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija tha se në mungesë të këtij lloji të marrëveshjes, në katër vitet e kaluara komunikacioni apo bartja e udhëtarëve në komunën e Vrapçishtit dhe të Gostivarit ka qenë i çrregulluar. 


“Propozime dy herë ka pasur nga ana jonë që të arrihet kjo marrëveshje, mirëpo nuk gjetëm gjuhë të përbashkët. Ne, sot jemi para një akti solemn të nënshkrimit të kësaj marrëveshje dhe tendencës që të rregullohet në të ardhmen linja e bartjes së udhëtarëve mes komunave Gostivar dhe Vrapçishtë, dhe të futet një rend i cili e kërkon ligji për transport publik, si në bartjen e udhëtarëve, nxënësve dhe punëtorëve”, theksoi kryetari Bajram Kadrija. 


“Prej këtij momenti, dy kryetarët e të dyja komunave kanë të drejtë që t’ju japin licenca atyre të cilët dëshirojnë të bartin udhëtar në bazë të ligjit që është në fuqi. Prej sot ata nuk kanë nevojë që të shkojnë në nivelin qendror gjegjësisht në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, por këto licenca ata mund ti marrin në dy komuna, në komunën e Vrapçishtit dhe në Komunën e Gostivarit”, tha kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. 


Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, komunat respektuan dhe e shfrytëzuan mundësinë ligjore që ta organizojnë bashkërisht transportin e udhëtarëve në linjën Gostivar – Vrapçisht dhe anasjelltas.  


Me këtë marrëveshje transportuesit e udhëtarëve do të mundet që gjitha dokumentacionet për transportin e udhëtarëve ti marrin në Komunën e Gostivarit, respektivisht në Komunën e Vrapçishtit. Me këtë, komunat e fitojnë edhe të drejtën për vendosjen e rendit për transportin e udhëtarëve në linjën e lartpërmendur, në drejtim të vendosjes së rendit të vozitjes, orarit, lokacioneve si dhe mbikëqyrjen e këtij lloji të transportit. Varësisht prej distancës do të rregullohet edhe çmimi i transportit dhe orari i vozitjes së udhëtarëve.

 

 

 
komunaVrapcisht©  2009All Rights Reserved  •  Design by
Privacy Policy • Terms of Use