Lajmi ditor

December 24, 2017

Kryetari i komunës së Vrapçishtit, z. Isen Shabani realizoi takim pune me Ministrin për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu

Kryetari i komunës së Vrapçishtit, z. Isen Shabani realizoi takim pune me Ministrin për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu, me të cilin biseduan për më shumë çështje që kanë të bëjmë me punën dhe aktivitetet e komunës dhe iniciativat që dalin nga këshilli i ri komunal dhe kryetari i ri i zgjedhur në zgjedhjet lokale.

Ministri Fazliu e njoftoi kryetarin Shabani me përcaktimet e Qeverisë dhe Ministrisë për vetëqeverisje lokale për të ecur përpara me proceset e decentralizimit të pushtetit, përpjekjet dhe projektet në ecuri për zhvillimin të barabartë të rajoneve planore në Republikën e Maqedonisë e në këto suaza edhe për zhvillimin e komunave, me theks të veçantë në këtë takim për komunat rurale, siç është komuna e Vrapçishtit. Ai njëherit e njoftoi kryetarin Shabani edhe me mundësitë për shfrytëzimin e IPA fondeve me projekte cilësore që do të ishin në të mirë të qytetarëve të atij regjioni.

Kryetari Shabani nënvizoi punët dhe kërkesat aktuale për të cilat është e duke u angazhuar udhëheqësia e re komunale me theks të veçantë për rregullimin e objektit të komunës si një nga kërkesat urgjente me çka do të siguroheshin kushte normale për punën e administratës së komunës.

Lidhur me këtë dhe tema tjera për të cilët u diskutua, ministri Suhejl Fazliu shprehu gatishmërinë tij të ndihmuar komunën e Vrapçishtit e njëherit theksoi gatishmërinë e tij për bashkëpunim më të ngushtë në të ardhshmen.