VIJOJNË PUNIMET NË NDËRTIMIN E SALLËS DHE MEREMETIMIN E SHKOLLËS NË NEGOTINË

Me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në suaza të projektit të qeverisë “35 salla sportive dhe 50 fusha futbolli”, në vijim e sipër janë punimet rreth ndërtimit të  sallës sportive në  shkollën fillore “Naim Frashëri” të fshatit Negotinë.

Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija, potencon se punimet pritet të përfundojnë brenda afatit kohor prej 9 muajve.


“Punët janë duke rrjedhur sipas dinamikës së paraparë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe komuna. Marrëveshja për ndërtimin e sallës sportive u arrit në tetor të vitit të kaluar, kurse edhe gjatë stinës së Dimrit është punuar. Pjesa dërmuese e punimeve siç janë themelet, bazamentet dhe tribunat, janë në përfundim e sipër dhe besoj që brenda afatit 9 mujor, ashtu siç parashikon marrëveshje, kjo sallë sportive të kompletohet dhe lëshohet në përdorim. Ky objekt me karakter sportiv, krahas nxënësve të shkollës, do të mund të shfrytëzohet për aktivitet të ndryshme edhe nga ana e banorëve të fshatit Negotinë, por edhe vendbanimeve të tjera”, theksoi Kadrija.


Tribuna e sallës sportive do të numëron 400 ulëse, kurse pritet të instalohet edhe ndriçimi publik, infrastruktura e ujit dhe rrymës si dhe kabinat e veshjes.


Përfundimi i punimeve në objektin e ri të shkollës fillore “Naim Frashëri”, të fshatin Negotinë, do të pres ditë më të mira. Për arsye të rebalancit të buxhetit qeveritar vitit të kaluar, mjetet e ndara për këtë qëllim janë tërhequr.


Isen Demiri, drejtor i kësaj shkolle, thotë se kërkesa e njëjtë është përsëritur edhe këtë vit dhe shpreson që pas përfundimit të procesit zgjedhor, si problem të tejkalohet.
“Ne vitin e kaluar bëmë kërkesë në Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, e cila kërkesë arriti deri në ndarjen e mjeteve në gazetë zyrtare, por për arsye të rebalancit të buxhetit të qeverisë, ato mjete nuk u realizuan. Kështu që ngeli që kjo të ndodh në të ardhmen. Këtë vit ne përsëri bëmë kërkesë, por për shkak të procesit zgjedhor, ka ngelur që procedura të bëhet pas zgjedhjeve”, theksoi ai.


Gjersa ky proces zvarritet, autoritet e shkollës dhe pushtetit lokal, kanë iniciuar disa investime të tjera brenda shkollës. Janë rregulluar disa klasa kurse pritet që shumë shpejt të bëhet edhe rregullimi i dritareve.


“Ne me mjete të komunës dhe mjeteve të vet shkollës kemi arritur të adaptojmë katër klasa, kjo ndodhi gjatë pushimit veror të vitit të kaluar. Tash ka iniciativë për rregullimin e dritareve nga ana e arsimtarëve. Besojmë që gjatë këtij pushimi veror, të fillon rregullimi i dritareve të shkollës. Presim që edhe komuna të jep mbështetjen e vete, pasi  që vërtet ka shumë punë për tu bërë”, theksoi Demiri. (TV2 Gostivar).

 

 

 
komunaVrapcisht©  2009All Rights Reserved  •  Design by
Privacy Policy • Terms of Use