Komuna e Vrapçishtit fiton grantin nga UNDP në vlerë prej 15 mijë eurosh

19.10.2010


Kryetarët e komunave të Vrapçishtit, Gostivarit dhe Mavrovë-Rostusësh, në një ceremonial rasti në Shkup, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me UNDP në kuadër të Programit “Bashkëpunim ndërkomunal për ofrim më të mirë të shërbimeve dhe aderim në BE”, ku prezent ishin edhe ministri i pushtetit lokal z. Musa Xhaferi dhe përfaqësuesja e përhershme nga ana e UNDP-së z-nja Deidre Boyd.

Projekti që duhet të realizohet, ngërthen në vete aktivitete të përbashkëta të këtyre tri komunave në drejtim të ofrimit të shërbimeve në sferën e mjedisit jetësor dhe mbrojtjen e natyrës.

Me këtë projekt i cili kap shifrën rreth 15 mijë euro, zyrat e Shërbimeve për mjedis jetësor do të pajisen me teknologjinë e nevojshme informative dhe pako softueri, si dhe me inventar tjetër të nevojshëm. Pas identifikimit të nevojave për trajnim të nëpunësve për ambient jetësor, konsulentët do të përgatisin trajnimet e nevojshme për ambient jetësor dhe mbrojtje të natyrës, ndërsa operatorët që veprojnë në tri komunat do të informohen rreth procesit të pajisjes me leje të ndryshme ekologjike, kushtet dhe obligimet për fitimin e tyre në bazë të dispozitave ligjore në fuqi.

Ndër aktivitetet e shumta që parashihen me këtë projekt, janë ngritja e kapaciteteve administrative për dhënien e B Lejeve të integruara  ekologjike, puna e përbashkët në terren, monitorimi dhe evaluimi i parashtresave për dhënien e lejeve ekologjike etj.
Grupi i përbashkët punues do të bëjë hartimin e Kadastrës për mbrojtjen e ambient jetësor si dhe do të  përgatisë dhe distribuojë material për ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e ambient jetësor dhe natyrës. Projekti do të zgjasë gjashtë muaj.

Zyra për ZHEL pranë komunës së Vrapçishtit.

 

 
komunaVrapcisht©  2009All Rights Reserved  •  Design by
Privacy Policy • Terms of Use