Komuna e Vrapcishtit dhe e Gostivarit me web faqe per transparence me qytetaret

 

04 dhjetor 2013

Në sallën e këshillit të komunës së Gostivarit u promovua ueb faqja Komunitetet dhe Transparenca e Pushtetit Lokal. Projekti përfundoi me platformë të titulluar i-Gostivari, i-Vrapçishtë. Projekti në fjalë filloi të realizohet në vitin 2012 dhe sot u prezantua puna njëvjeçare e European Link Center nga Gostivari. Projekti është financuar dhe përkrahur nga UNDP-ja, por gjithashtu është përkrahur dhe financuar edhe komuna e Gostivarit dhe e Vrapçishtit. 

Në promovimin e ueb faqeve morën pjesë Shefi i kabinetit të kryetarit të komunës Gostivarit, Bashkim Hasani, kryetari i komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija, përfaqësuesit e European Link Center, Muzafer Saliu si dhe përfaqësues të UNDP-së.

Komuna e Gostivarit fuqishëm mbështet zhvillimin dhe reformat te cilët janë parakusht  i zhvillimit  të demokracisë funksionale dhe parcitipative.

“Jemi mirënjohës për punën e Shoqatave Civile e në këtë rast të  European Link Center nga Gostivari  dhe partnerëve në realizimin e ueb faqes interaktive “ I Gostivari”. Tani qytetarëve tanë do t’ju mundësohet  edhe një  formë  e re, me shfrytëzimin e IT veglave të jenë pjesë e zhvillimit të komunës dhe realizimit të drejtave të tyre,  por edhe përgjegjësia e komunës  do të jetë më e madhe në zhvillimin e Transparencës dhe llogaridhënies. Falënderojmë UNDP-në në përkrahjen e projekteve të cilët janë shumë të rëndësishëm në zhvillimin e komunës sonë”, theksoi shefi i Kabinetit të kryetarit të komunës së Gostivarit, Bashkim Hasani. 

Muzafer Saliu nga OJQ “European Link Center”, tha se kjo platformë e ueb faqes është pranuar edhe nga komuna e Tetovës, ku edhe atje do të bëhet promovimi, ndërsa në vitin 2014 ueb faqja do të promovohet edhe në komunat tjera të rajonit të Pollogut, poashtu edhe komuna e Dibrës dhe komuna e Kërçovës. 

“Kjo është një ueb faqe ku teknologji e informatikës mundëson që qytetarët të jenë pjesë e zhvillimit të komunës, por edhe nga ana tjetër të rris transparencën e pushtetit lokal. Ueb faqja mundëson që qytetarët aktiv të parashtrojnë pyetje, të kërkojnë takim me personat përgjegjës të administratës, poashtu mundësohet të paraqesin problemet”, tha Saliu. 

Kjo ueb faqe pritet të kontribuoje në përforcimin e transparencës së pushteteve lokale si dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për pjesëmarrje aktive në hartimin e politikave publike të pushteteve vendore. /Radio Vala/

 

 

 
komunaVrapcisht©  2009All Rights Reserved  •  Design by
Privacy Policy • Terms of Use